Profesori universitar, Rrahman Paçarizi e komenton emërimin e Agim Veliut si Ministër i Brendshëm

Analisti politik dhe profesori universitar, Rrahman Paçarizi, ka komentuar në lidhje me emërimin e ministrave të rinj, ndër të cilët është emëruar edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, si Ministër i Punëve të Brendshme.

Në një përgjigje për Gazetën Metro, Paçarizi ka thënë se Veliu, i cili është edhe nënkryetar i partisë së cilës i takon, padyshim se është personi i cili merr pjesë në krijimin e politikave të LDK’së dhe emërimi i tij si Ministër i Brendshëm është demonstrim i fuqisë së LDK’së në Qeverinë e koalicionit, ku partia e tij është e dyta.

“Sa i përket z. Veliu, ai është nënkryetar i partisë që domethënë është personi që merr pjesë në krijimin e politikave të partisë që është pjesë e koalicionit dhe emërimi i tij në atë pozitë është demonstrim i fuqisë së LDK-së në qeverinë e koalicionit ku kjo parti është jo e para por e dyta”, ka thënë Paçarizi për Gazetën Metro.

Profesori universitar tutje ka theksuar se kabineti i kryeministrit, Albin Kurti, është për të lënë përshtypje, pasi që në mesin e ministrave bëjnë pjesë pesë gra, shumë prej të cilave sipas Paçarizit kanë dëshmuar vetën në politikë dhe në fusha përkatëse profesionale dhe nuk shihen vetëm si numra kuotash.

“Unë mendoj që kabineti i z. Kurti është mjaft impresiv për shumë arsye. Së pari në mesin e ministrave janë 5 gra, shumica dërrmuese e tyre të dëshmuara në politikë dhe në fushat përkatëse profesionale dhe jo numra kuotash dhe kjo ka rëndësi të paanashkalueshme”, ka thënë Paçarizi.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme në seancën plenare është votuar Qeveria e re, me në krye Albin Kurtin, kurse sot ka nisur procesi i pranim-dorëzimit të posteve nga kabineti i vjetër qeveritar tek ai i riu.