Projektligji i Pagave/ Ish-Avokati i Popullit tregon a është i ligjshëm vendimi për prokurorët dhe gjyqtarët

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën Projektligjin për pagat për Sektorin Publik dhe Zyrtarët Publik, kjo për të krijuar sistem të unifikuar të pagave për të gjithë personat që paguhen nga buxheti i shtetit.

Në këtë mbledhje u mor vendim që të ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

E kjo ka shfaqur pakënaqësi, ashtu siç ndodhi edhe para 3 vjetëve.

Gjatë 2019-s, Kosova u bë për herë të parë me një ligj që rregullon pagat në sektorin publik.

Ish-Avokati i Popullit Hilmi Jashari, në atë kohë pranoi 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.

Për këtë çështje ai iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja e shfuqizoi Ligjin për pagat. Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari duke komentuar ndryshimet e fundit në Ligjin për Paga, në një prononcim për Front Online, thotë Kuvendi duhet ta vendosë nëse ka shkelje të të drejtave.

Ai thotë se Qeveria ka të drejtë me ligj të marrë vendime e më pas ato të miratohen ose jo në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk mundem me thënë që s’është joligjore. Qeveria ka të drejtë me ligj, është propozim realisht, pastaj përcillet në Kuvend, dhe Kuvendi është autoriteti që miraton ligjin nëse bëhet fjala për ligj. Bëhet fjalë për një projektligj, është një propozim i Qeverisë, është Kuvendi që miraton ligjin dhe Kuvendi është autoriteti kryesorë që në këtë rast do të duhej me rivendos, nëse konsiderohet që ka shkelje të drejtave për këto kategori”, tha Jashari për Front Online.

Për një ligj të tillë të pagave, Jashari ishte ai që e dërgoi në Kushtetuese, e që u gjet më pasë mangësi.

Ai për Front Online thotë se duhej të merrej parasysh ai aktgjykim.

“Aktgjykimi është bukur i qartë, në kuptimin se si e kanë trajtuar krye mangësitë, edhe për mendimin tim do të duhej të përfshihej gjithsesi aktgjykimi, sepse është burim i së drejtës aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe pavarësisht qëndrimeve që munden me dalë në një ligj ose në një tjetër, ato parime dhe ato rregulla që kanë vendosë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, megjithatë ka përparësi zbatimi. Në çdo rast që konsiderohet se ka një konflikt, atëherë sigurisht mbizotëron aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh për Front Online ish avokati i popullit.

Më 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.

Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Më 2020, Kurti e pati shfuqizuar këtë vendim, mirëpo atëherë nuk janë prekur pagat në sistemin e drejtësisë.

Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës ka reaguar shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.