Prokurori nuk lejon avokatin Tomë Gashi të marrë pjesë në intervistimin e Haki Abazit

Prokuroria Speciale e ka refuzuar kërkesën e avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi që të jetë i pranishëm në dëshminë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, raporton Ekonomia Online.

Në një deklarim për gazetarë, Gashi tha se ka qenë i pritshëm moslejimi i tij gjatë marrjes në pyetje të Haki Abazit.

“Unë faktikisht kam menduar që ai do të veprojë ashtu siç veproi tani që thjesht nuk lejoi që me marrë pjesë në cilësi të avokatit, përfaqësuesit juridik të familjes Astrit Dehari dhe i ka njoftuar zyrtarët përkatës, mos të më lejojë pjesëmarrjen gjatë dëgjimit të deputetit Haki Abazi. Deputeti veç ka hy në zyrën e prokurorit dhe besoj që intervistimi i tij ose ka filluar ose do të fillojë për pak minuta. Këto janë çështje procedurale dhe për këtë arsye kam paraqitur një shkresë paraprakisht sepse prapë po them që duke e ditur mos transparencën e prokurorit Afrim Shefkiut në rastin e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit”, tha ai.

Ai tha se zhdukja e mostrave të këtij rasti ka ndikim të drejtpërdrejtë në dëmtimin e hetimit të rastit

“Pra zhdukja e mostrave të mjekësisë ligjore ka të bëjë drejtpërdrejtë me dëmtimin e hetimit të këtij rasti ku unë kam paraqitur një shkresë në bazë të secilës kam kërkuar që prokurori i rastit Afrim Shefkiu të na njoftojë me shkrim arsyet e moslejimit të pjesëmarrjes sime në dëgjim gjatë dëshmitarit Haki Abazi. Kështu që unë do të jem faktikisht në pamundësi ta dijë se çfarë po deklaron deputeti Haki Abazi në deklaratën e tij në cilësi të dëshmitarit dhe ju mbetet juve që ta intervistoni pas daljes së tij”, deklaroi Gashi.

Shkresa e Tomë Gashit drejtuar prokurorit Afrim Shefkiu: