Propozimi i Ramës për konferencë Kosovë-Serbi, reagon Bolton

Ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-së John Bolton, komentoi propozimi e kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama për konferencë të nivelit te lartë të thirrur nga Franca dhe Gjermania, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për situatën e tensionuar Kosovë-Serbi.

I ftuar në emisionin “Balkan Talks”, në Euronews Albania, ai shtoi se sa më shumë palë të përfshihen në negociata, aq më e vështirë do të jetë arritja e marrëveshjes.

“Mendoj se sa më shumë palë të përfshihen në negociata, aq më e vështirë do të jetë arritja e marrëveshjes, por ka një traditë në Shtetet e Bashkuara, kryebashkiaku Mer Daley i Çikagos, kur u përball me një grevë të mundshme të mësuesve, mbyllte Bordin e Arsimit në një dhomë me sindikatat e mësuesve dhe thoshte: “Nuk do të dilni pa arritur një marrëveshje””.

“Zakonisht ia arrinin. Por, unë mendoj se nëse ka shumë të jashtëm që po komentojnë sikur të ishte një ngjarje sportive për ecurinë e negociatave, nuk do të ketë një rezultat të dëshirueshëm, do të ishte më mirë që Kosova dhe Serbia të përfaqësoheshin në një ishull ndoshta në Egje, pa shumë spektatorë përreth”, tha ai.