Protesta për shtrenjtim të faturave të rrymës: Protestuesit thërrasin “Albin Rrenci”

Propozimi për shtrenjtimin e faturës së energjisë elektrike i ka mbledhur në kryeqytet një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, të cilët po kërkojnë që kryeministri Albin Kurti ta “bllokojë tarifën”.

Në protestën që nisi prej sheshit “Zahir Pajaziti”, qytetarët u nisën drejt Qeverisë, ndërsa disa nga protestuesit thirrën “Albin mashtruesi” dhe “Albin rrenci”, raporton Gazeta Express.

Ata thonë se s’duan të paguajnë rrymë edhe për komunat në veri të vendit.

Protesta është paralajmëruar ditë më parë dhe është organizuar nga një grup qytetarësh, në shenjë pakënaqësie për propozimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimit të faturave të rrymës.

Siç ka bërë të ditur ZRRE-ja, në këtë rritje nuk do të përfshihen komunat veriore.

Për t’i mbuluar shpenzimet e faturave elektrike që shkojnë në mbi 600 KW, qeveria ka thënë se do të subvencionojë 75 milionë euro.

Me 75 milionë eurot e propozuara, shuma e mjeteve financiare të ndara për mbulimin e krizës energjetike shkon në mbi 100 milionë.