Protestat për punësime të Trepçë, Qeveria premton një bord mbikëqyrës

Është paralajmëruar themelimi i një bordi mbikëqyrës për vlerësimin e konkursit të Trepçës.Kjo pasi disa nga të pranuarit e konkursit të fundit në këtë ndërmarrje kanë protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë për ta kundërshtuar anulimin e konkursit.

Përfaqësues të protestuesve kanë mbajtur një takim me zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe shefin e kabinetit të Kryeministrit Albin Kurtit, Luan Dalipi, të cilët iu kanë thënë se do të themelohet një bord mbikëqyrës për vlerësimin e konkursit, raporton Koha.net.

“Do të bëhet një bord mbikëqyrës i përkohshëm që do të merret me vlerësimin e konkursit por se nuk janë të interesuar që të dëbojnë njerëz nga puna”, kanë thënë ata.Në anën tjetër për disa ditë me radhë protesta janë mbajtur nga të refuzuarit e konkursit të Trepçës, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me punësimet e fundit në këtë ndërmarrje.Sipas tyre, ata mbetën jashtë listave të të pranuarve për shkak të dallavereve dhe pasi nuk kishin krah të fortë, derisa kërkuan anulimin e tërësishëm të konkursit.

Një protestë e tillë është paralajmëruar edhe për nesër.Arsim Musa nga Këshilli i protestuesve të të refuzuarve të konkursit në Trepçë, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nesër nga ora 10:00 do të protestohet me ç’rast do të kërkohet edhe shkarkimi i menaxhmentit dhe anulimi i konkursit.

“Ju ftoj të gjithë aplikantë dhe banorë në lidhje me konkursin e fundit në Trepçë, se nesër do protestohet me datë 03-03-2020 e (Marte) në orën 10:00 tek Bordi i Trepçës, ish-Fafosi, për shkarkimin e menaxhmentit dhe anulim të konkursit”, ka shkruar ai.