PS vendos të shkarkojë presidentin Meta

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur me urgjencë Kryesinë e PS vetëm pak minuta pasi presidenti Ilir Meta firmosi zyrtarisht anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Mësohet se Kryesia ka vendosur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali tha se vendimi i presidentit Ilir Meta për anulimin pa afat të zgjedhjeve të 30 qershorit, është një akt brutal mbi republikën parlamentare. Ajo tha se të enjten në Kuvend, mazhoranca do të nisë procedurën e shkarkimit të Presidentit Meta.

Pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, në një prononcim për mediat, Spiropali tha se nuk ekziston në asnjë pikë të kushtetutës fjala çdekretim. Vendimi i Metës – zbuloi Spiropali – do të kalojë për shqyrtim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Kryesia e PS ka diskutuar mbi atin brutal të presidentit mbi republikën. Të enjten në seancë Kuvendi do zhvillojë një debat me të gjithë argumentet se si Ilir Meta ka sulmuar kushtetutën në duke shpikur zhdekretimin e zgjedhjeve. Vendimi do të kalojë për shqyrtim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në fund do i takojë kolegjit zgjedhor ta shqyrtojë por ne si PS mendojmë se ai e ka humbë të drejtën për të qëndruar në atë zyrë. Procedurat për shkarkimin e tij do nisë të enjten. Do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese në fund por kjo nuk na heq në të drejtë për të nisur procedurat për shkarkimin e tij”, tha Spiropali.

Meta sfidoi sot hapur maxhorancën duke thënë se zgjedhjet nuk mund të zhvillohen pa dekret të presidentit, ndërsa shtoi se shtyrja e tyre është pa afat, deri sa palët të arrijnë një marrëveshje politike.

Shkarkimi i Presidentit nga Parlamenti kërkon 94 vota dhe vendimin përfundimtar e jep Gjykata Kushtetuese, e cila është në proces plotësimi të saj me anëtarë.

Çfarë thotë Kushtetuta

“1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij;

2.Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij;

Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”, thuhet në nenin 90 të Kushtetutës. Të njëjtat burime thanë për “Panorama” se plotësimi i vendeve vakante të Gjykatës Kushtetuese është në proces, ndërkohë që ata pritet t’i nënshtrohen vetingut. Nevojiten të paktën pesë gjyqtarë që Gjykata Kushtetuese të ketë kuorumin për të funksionuar.

Por në nenin 91 të Kushtetutës thuhet se kur Presidenti ka pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet ose kur vendi i tij mbetet vakant, është Kryetari i Kuvendit, i cili zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij. Të gjithë skenarët janë të hapur, ndërsa çdo gjë do të varet nga argumentet që kreu i shtetit do të japë sot për vendimin e tij për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.