PSD-ja publikon vendimin e gjykatës: Dardan Molliqaj u privua nga liria kundërligjshëm

Zyrtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dren Kukaj, ka publikuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e Dardan Molliqajt, i cili është arrestuar të martën nga policia para se të hynte në një studio televizive.

Sipas Kukajt, ky aktvendim dëshmon se “policia arrestimin spektakular të Molliqjat e ka bërë në mungesë të një urdhërarresti”.

“Ky është aktvendimi i shqiptuar mbrëmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë kundrejt Dardan Molliqajt. Masën e shqiptuar e vlerësojmë si jo proporcionalë në raport me veprën e dyshuar penale dhe të gjitha rrethanat e këtij rasti, andaj edhe ndaj të njëjtit aktvendim do të parashtrojmë ankesë pranë Gjykatës së Apelit. Por, ky aktvendim dëshmoi atë që e thamë prej fillimit. Policia arrestimin spektakular në hapësirat e televizionit ‘T7’ e ka bërë në mungesë të një urdhërarresti. Për më tepër, Prokuroria ka pranuar një kallëzim penal për këtë vepër një ditë pas arrestimit të tij. Gjithashtu, Gjykata vërtetoi se ftesat e Policisë nuk janë dorëzuar në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale”, ka shkruar Kukaj në llogarinë e vet në “Facebook”.