PSD kërkon heqjen e karantinës, kritikon Kurti që se tha asnjë fjalë për vdekjen tragjike të 26 vjeçarit

Partia Socialdemokrate ka mbajtur një konferencë për media, tetë ditë pas vdekjes tragjike të Agon Musliut, të 26 vjeçarit nga Gjilani i cili bëri vetëvrasje nga Qendra e Studentëve, ku po qëndronte atje i karantinuar kundër dëshirës së tij.

Nga PSD ka folur Nol Nushi i cili tha se ndonëse kanë kaluar 8 ditë nga ky rast tragjik, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë.

“Sot janë bërë 8 ditë nga rasti tragjik që ndodhi në Karantinën e improvizuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku për pasojë vdiç një 26 vjeçar. Pikërisht ky rast tragjik, bëri që tërë vëmendja e shoqërisë të kthehej nga ky vend i improvizuar për karantinë.

Po kaq ditë kanë kaluar që Kryeministri Kurti nuk e ka thënë bash asnjë fjalë për këtë rast. E kemi parë shpesh kryeministrin i cili i drejtohet publikut edhe për gjëra më banale, kurse për rastin tragjik të konvikteve ka heshtur”, ka thene Nushi.

Nushi tutje ka kritikuar edhe ministrin Vitia, duke thënë se ai “deri vonë ishte yll i paraqitjeve publike, por ka kohë që nuk është paraqitur në publik ndonëse situata me pandeminë po vazhdon”.

Nushi në adresimin e tij, ka thënë se ekzistenca e karantinës po dëshmohet e panevojshme, andaj që edhe ajo duhet të hiqet.

“Ekzistenca e karantinës në qendrën e studentëve po dëshmohet totalisht e panevojshme. Këtë na e dëshmon edhe vendimi i fundit i Qeverisë ku e shkurton kohën e detyrueshme të karantinimit në këtë qendër nga 14 në 7 ditë. Duke mos qenë vendim i bazuar në shkencë, e vetmja arsye pse ende ekziston karantina është ajo politike. Kemi parë zell të paparë që pikërisht kjo karantinë të përdorej politikisht në rastin e deputetit Pacolli prandaj po duan që ta mbajnë të hapur në mënyrë që ta përdorin kur u duhet”, ka theksuar Nushi.