PSD: Kriza me dinarin e ka përgjigje Asociacionin

Situata me çështjen e dinarit siç duket ka vënë në dyshim partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një gjë të tillë e ka thënë të enjten edhe ambasadori e ShBA-së në Kosovë, Jeffry Hovenier.

E, për Partinë Socialdemokrate(PSD), Qeveria Kurti tashmë ka tejkaluar negativisht kontradiktën në qëndrime karshi ndërkombëtarëve.

“Qeveria Kurti e ka tejkaluar negativisht kontradiktën në qëndrime karshi ndërkombëtarëve, qëndrime këto që përjashtonin njëra-tjetrën. Më parë, ecja përpara në dialog e koncesione ka nënkuptuar marrëdhënie të mire me ta. E kundërta, pra refuzimi i marrëveshjeve përkthehej në figurë destruktive që çon në ftohje të marrëdhënieve, potencialisht drejt izolimit”, thuhet në përgjigjen e PSD-së, për Front Online.

PSD po vlerëson se kjo qeveri po e bën gjithë këtë për ta larguar vëmendjen nga Asociacioni.

“Ka pranuar Asociacion pa njohje, ka nisur procesin e shkarkimit të kryetarëve në veri që çon drejt Asociacionit, e në të njëjtën kohë Kosova është nën sanksione. Kjo sepse situata e tensionit përqendron vëmendjen tek rreziqet, duke na larguar nga dokumentet si draft-statuti që Qeveria vetë thotë se e ka pranuar. Parulla “Tension për Asociacion” shpjegon edhe zhvillimet me dinarin. Kur ka pranuar që krejt sistemi paralel serb, nga sistemi paralel të kyçet në autonomi përmes Asociacionit, e ka rregulluar edhe dinarin. Por, gjendja e jashtëzakonshme është normaliteti i Qeverisë, kjo është edhe propaganda më e mire”, thuhet më tutje në përgjigjen e PSD-së.

Nga PSD-ja po thonë se kriza që është shkaktuar sa i përket vendimit për çështjen e dinarit e ka përgjigje Asociacionin.

“ Ne jemi të bindur se kriza me dinarin e ka përgjigje Asociacionin. Është kështu sepse në fund gjithçka reduktohet tek një pyetje: a e sakrifikon kryeministri pushtetin e tij për të mos e zbatuar Asociacionin. Nëse presioni amerikan dhe evropian arrin në këtë nivel, atëherë qëndrimi në pushtet është sine quo non, kurse Asociacioni mjet që pushteti ta tejkalojë krizën”, thonë nga PSD-ja.

Ndryshe, ditë më parë edhe ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, James O’Brien ka thënë se SHBA është shumë e shqetësuar me vendimin e Qeverisë për mos lejimin e përdorimi të dinarit./Front Online