PSD sot nis mbledhjen e nënshkrimeve për faljen e gjobave gjatë pandemisë

Partia Socialdemokrate sot do të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin qytetar për faljen e gjobave të pandemisë Covid-19.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka njoftuar se mbledhja e nënshkrimeve do të fillojë në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“E premte, në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për peticionin qytetar për faljen e gjobave të pandemisë Covid-19. Përmes këtij peticioni do të dorëzojmë projektligjin për faljen e dënimeve në Kuvendin e Kosovës. Ju ftojmë secilin që të vini dhe ta nënshkruani”, ka shkruar Molliqaj.

Ndërsa, të martën në një konferencë për media, anëtari i kësaj partie, Dren Kukaj, ka treguar se për synim kanë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve, për ta vendosur në rend dite në Kuvendin e Kosovës këtë projektligj.

“Periudha kohore që e kemi paraparë në këtë Ligj është nga 14 marsi i vitit të kaluar deri më 15 maj të këtij viti. Synojmë që përmes një peticioni të arrijmë shifrën prej 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve asisoj që këtë projektligj ta vendosim në rend të ditës në Kuvend të Kosovës dhe shpresojmë se atje të marrë miratimin dhe qytetarëve që kanë marrë masa ndëshkimore të iu falen”, ka thënë Kukaj.