Pse nuk bëhet publik emri i shtetit që garantoi 500 mijë dozat e para të vaksinave për Shqipërinë? Detajet i jep kryeministri Rama

Ndërsa sot Shqipëria nis vaksinimin antiCovid, përpara afatit, siç nënvizoi kryeministri Edi Rama, nëse do të ishte në dorë të programit Covax, “sot do ishim ende duke pritur”, tha shefi i qeverisë.

Sipas Ramës, nuk është Greqia shteti që i ka garantuar Shqipërisë 500 mijë dozat e para të vaksinës anticovid, por se cili është ai, të paktën tani për tani nuk do e dimë.

“Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë i një prej kanaleve bilaterale me një nga vendet e BE të cilin nuk jam i autorizuar ta bëj me dije se cili është për shkak të kërkesës së tyre vetë.

Meqë është thënë gabimisht se ky vend është Greqia, mund tu them se jo nuk është Greqia”, tha Rama.

Kryeministri tha se nuk ka qenë e lehtë të siguroheshin dozat e para të vaksinës, ndërsa këtë proces e quajti të cuditshëm dhe nuk ngurroi të përmendte dhe “kufizimin” që ka krijuar BE.

“Kemi arritur në kushte aspak të lehta të garantojmë 500 mijë dozat e para të vaksinës Pfizer sic e bëra publike në 1 janar por edhe të sigurojmë fillimin e vaksinimit para afatit, falë marrëdhënieve bilaterale, që janë kyce në këtë proces të cuditshëm ku faktikisht strategjia dhe drejtimi i përcaktuar nga BE, për t’u investuar në skemën e Covax ka rezultuar që të jetë ende sot që flasim një drejtim i papërcaktuar në kohë.

Pra paravarësisht angazhimit me Covax të Shqipërisë dhe plot vendeve të tjera jashtë BE, nëse do të qëndronim në pritje të Covax do ishim akoma duke pritur e nuk dihet ende sot sa do zgjaste kjo pritje.

Ia kemi dalë të kontaktojmë drejtpërdrejt në Nju Jork Pfizer e të hapim kanale komunikimi të vështira për shkak të pamundësisë objektive, kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale me 4 vende e BE”, u shpreh kreu i qeverisë.