Pse Vjosa Osmani u ftua menjëherë në Shtëpi të Bardhë, Albin Kurti jo?

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK] për kryeministre të Republikës së Kosovës ka zhvilluar një varg takimesh në Shtëpinë e Bardhë me zyrtarë të lartë të administratës Trump dhe politikanë të mëdhenj amerikanë. Ndërkohë që Albin Kurti, partia të cilit fitoi këto zgjedhje, ka mbetur në shtëpi duke pritur certifikimin e rezultateve.

Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit me një dallim të vogël votash ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sidoqoftë, pavarësisht dallimit minimal, Vetëvendosja do të jetë mandatarja e parë për të formuar Qeverinë e Re dhe gëzon të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, shkruan Periskopi.

Por, ankthi dhe tensioni te mbështetësit e Kurtit për kryeministër është rritur pas deklaratave të fundit të z.Lutfi Haziri, i cili deklaroi se Vjosa Osmani kishte marrë më shumë votues se Albin Kurti. Kjo e fundit i ka fituar 163 mijë vota nga numërimet preliminare, ose 20 mijë më shumë se që i kishte marrë Kurti në vitin 2017. Sidoqoftë, ende nuk dihet rezultati i përveçëm i Kurtit në këto zgjedhje.

Por, ajo që shqetëson më së shumti ithtarët e Kurtit si kryeministër janë raportet e tij të dobëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ftesa që i erdhi zonjës Osmani mund të jetë një indikacion i qartë se kë përkrah administrata amerikane për t’u bërë kryeministër i ri i Kosovës.

Zonja Osmani u takua fillimisht me z.John Erath, Drejtor për Evropë i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, e me të cilin deklaroi se pati diskutime “shumë produktive rreth prioriteteve dhe sfidave që e presin Kosovën gjatë muajve e viteve në vijim.”

Më pas, ajo zhvilloi një takim edhe me Zv.Ndihmës-sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, i cili është gjithashtu edhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor. Dhe në fund, ajo u takua edhe me Dean Phillipsin, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ndërkohë, z.Kurti deri tash është takuar me ambasadorin Delawie dhe Përfaqësuesin Special Richard Grenell. Por, me Grenellin u takua edhe znj.Osmani me z.Mustafa në zyret e LDK-së.

Incidente që mund të prishin punë

Në vitin 2014, ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson ishte sulmuar pa dashje nga aktivistët e Vetëvendosjes gjatë një proteste kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që quhej në serbisht edhe si “Zajednicë”.

Më pas, në disa protesta në vitin 2016, Kurti kishte deklaruar se “shqiptarët nuk e duan Amerikën, ata kanë frikë nga braktisja e Amerikës” gjë që kishte shkaktuar një bujë të madhe mediale.

Kurti dhe Vetëvendosje kishin pasur marrëdhënie të ashpra edhe me ambasadorin tjetër amerikan, Christopher Dell, i cili haptas kishte folur kundër kësaj partie në disa raste.

Dialogu

Në fakt, sa i përket qasjes në raport me dialogun me Serbinë, dallimet mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit janë krejtësisht të vogla. Nga qëndrimet publike të tyre mësojmë që tarifa ndaj mallrave të importuara nga Serbia do të hiqet për t’u vendosur masa e reciprocitetit.

Nuk besohet që ky ndryshim do ta bind Beogradin që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve, ashtu siç është kërkesa e faktorëve ndërkombëtarë. Brukseli dhe Uashingtoni në vazhdimësi kanë qortuar Prishtinën në lidhje me tarifën 100 për qind dhe pritet që kjo gjë të vazhdojë edhe me Qeverinë e Re.

Megjithatë, qëndrimet e znj.Osmani në lidhje me dialogun nuk janë aq rigide sa ato të z.Kurti, gjë që i mundëson marrëdhënie më të mira me administratën amerikane.