PSG ofron dyfishin e Barçës për pagën e de Ligt, përcaktues është Leonardo

Paris Saint-Germain ka hyrë në garë fuqishëm për të marrë shërbimet e Matthijs de Ligt, i cili kërkohet nga klubet më të mëdha të Europës, të kryesuar nga Barcelona, Manchester United dhe City, por edhe Juventus.

Gjithsesi media spanjolle “Sport” ka bërë me dije se klubi francez i ka vënë në pjatë plot 15 milionë euro në sezon mbrojtësit 19-vjeçar, transmeton telesport.

Një shifër goxha e lartë, duke qenë se Barcelona ia ka bërë të qartë se nuk jep më shumë se 5-7 milionë euro pagë, ndërsa vlera që do të shkojë tek Ajax do të jetë 75-80 milionë euro, në varësi të bonuseve.

Në këtë mes pritet të ketë rol përcaktues drejtori sportiv Leonardo, i cili pritet të zyrtarizohet shumë shpejt tek PSG, aty ku do të zërë vendin e Henrique. Braziliani ka marrëdhënie të ngushtë me agjentin e de Ligt, Mino Raiola dhe mes tyre mund të ketë një marrëveshje për të bërë të mundur kalimin e mbrojtësit në Francë.