Pas deklaratave të VV-së, reagon Agim Veliu: Sot vazhdojmë me procedurat për rrëzimin e Qeverisë

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë sot ta çojë përpara iniciativën për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Veliu është shprehur se arsyeja e rrëzimit të qeverisë nuk është shkarkimi i tij nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, por, siç ka deklaruar ai, “problemi është më i madh”.

“Nuk kisha dashur të merrem me deklarata të Bislimit, e as të kujtdo. Ne tash jemi në proces të një mocioni, kështu që, ai është një proces që ecën. Besoj që zhvillimet do të denifinohen brenda ditës”, ka thënë Veliu.

I pyetur se kur do të vazhdojnë procedurat për rrëzimin e qeverisë, Veliu ka thënë se “sot, patjetër” do të vazhdohet me mocionin e mosbesimit.

“Sigurisht [LDK do të vazhdojë me iniciativën për rrëzimin e qeverisë]. Jo gjatë kësaj jave, por sot do të vazhdohet me mocionin, patjetër”, ka thënë ai.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, edhe nëse ai vetë-tërhiqet nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe LDK-ja e cakton një figurë tjetër për këtë pozitë, “problemet nuk do të zvogëlohen”.

“Edhe nëse LDK-ja e cakton dikënd tjetër në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme. Problemi është më i madh; problemi i tarifës, problemi i virusit. Këto janë problemet me të cilat duhet të merret Kurti, e jo me gjëra të kota. Me gjëra që nuk çojnë peshë”, ka thënë Veliu.

“Nuk jam idhëtar i afatave, kushtëzimeve të tilla: ‘bëje këtë, bëje atë’. Vetëm një mund ta them: këtu nuk është problem vetëm Agim Veliu, apo shkarkimi im. Nuk është këtu problemi. Problemi është shumë më i madh”, është shprehur ai.

Kryeministri Albin Kurti shkarkoi të mërkurën Agim Veliun nga pozita e ministrit të punëve të Brendshme dhe Administratës.

Si kundër-reagim ndaj këtij vendimi të shefit të ekzekutivit, Lidhja Demokratike e Kosovës, partneri i koalicionit qeverisës, paralajmëroi rrëzimin e qeverisë në qoftë se kryeministri Kurti nuk i përgjigjet pozitivisht tri kërkesave të saj: kërkim-faljen ndaj LDK-së, rikthimin në pozitë të Veliut dhe heqjen e tarifës.

Por, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministri aktual i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka deklaruar se nuk do të kthehet në qeveri.

Bislimi, u shpreh sot në një intervistë për EkonomiaOnline, se Veliu ka qenë kundërshtari më i madh i koalicionit, duke shtuar se më mirë është që ministria që ka udhëhequr Veliut të mos ketë fare ministër se ta udhëheq ky i fundit.

“Një person që ka qenë në vazhdimësi kundër koalicionit, minimumi i sinqeritetit ka qenë me thënë nuk do të behëm pjesë e Qeverisë. Edhe këtu s’ka me pas kthim mbrapa, është e palogjikshme me pas kthim mbrapa, një individ të tillë me kthyer”, u shpreh Bislimi.

Kryeministri Kurti ende nuk është deklaruar në lidhje me shkrimin dhe kërkesat e kryetarit të LDK-së.