Publikohet sondazhi i fundit, kjo është renditja e partive politike

38.19% e qytetarëve do të votonin për Vetëvendosjen nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot.

Kështu ka dalë në matjet e fundit të opinionit publik, të realizuara nga PIPOS, ku partia e dytë është radhitur LDK-ja me 25.12% dhe e treta PDK-ja me 21.35%.

AAK-ja është e katërta me 11.97%, pas saj vjen Nisma me 2.13% dhe “Lista Guxo” radhitet e fundit me vetëm 1.24%.

Ky rezultat nuk i përfshin kategoritë e papërcaktuara, pra anketuesit që nuk e kanë përmendur një emër të partisë ose listës zgjedhore.

Rezultati është më ndryshe nëse nga rezultati final nuk përjashtohen kategoritë e papërcaktuara.

Lëvizja Vetëvendosje është sërish e para, por me rezultat më të ulët prej 33.2%. LDK-ja është opsioni i dytë i 21.6% të të anketuarve që pasohet nga PDK-ja me 18.3% dhe AAK-ja me 10.1%.

Nisma Socialdemokrate mbetet nën prag zgjedhor me 1.5%, ashtu sikur edhe “Lista Guxo” me 0.9% dhe AKR-ja me 0.2%.

7.4% e të anketuarve kanë thënë se nuk do të kishin votuar fare, 6.1% kanë thënë se nuk e dinë se kë do ta kishin votuar ose kanë refuzuar të përgjigjen dhe 0.7% kanë zgjedhur një parti tjetër (asnjërën nga këto partitë e përmendura).

Në këto matje të opinionit publik të realizuara me 1050 respondentë, që janë prezantuar sonte ekskluzivisht në “Rubikon” të Klan Kosovës, nuk janë të përfshira votat nga komunitetet pakicë që jetojnë në Kosovë dhe gjithashtu as votat e diasporës.