Në rajonin e Prizrenit sekuestrohen katër armë

 

Bëhet e ditur se tri nga armët janë konfiskuar në komunën e Suharekës, në raste të veprave penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Sipas policisë njëri nga rastet ka të bëjë me lëndim nga arma e zjarrit, me ç’rast viktima është trajtuar nga mjekët, por rasti nuk është raportuar tek organet e rendit dhe kanë tentuar ta fshehin.

“Pas një punë intensive të hetuesve dhe një informacioni të pranuar, Policia ka arritur të zbulojë të dyshimtin për rastin i cili ka ndodhur me datën 18.06.2019 në një fshat të komunës së Suharekës”.

“Në dy raste dyshohet se armët janë përdorur gjatë ahengjeve familjare.

Ndërsa në rastin e katërt Policia në Stacionin Policor Veri në Prizren ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë një armë”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klan Kosova.