Qalaj: Përveç Vuçiqit, goditje të madhe ka marrë edhe dialogu

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherit deputet i PDK-së, Rashit Qalaj duke iu referuar sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit tha se përveç goditjes që ka marrë presidenti serb Aleksandar Vuçiq me këtë rast, sipas tij, goditje ka marrë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje Qalaj tha se pala kosovare pas këtij sulmi do të duhej të mendonte se si të vazhdojë tutje me dialogun apo siç tha ai, të mos vazhdojë fare.

“Përveç goditjes që ka marrë Vuçiqi, një goditje të madhe ka marrë edhe procesi i dialogut. Unë mendoj që tash pala kosovare duhet ta kapitalizojë këtë incident. Unë personalisht mendoj që përderisa qëndron terroristi Milan Radoiçiq i lirë, pavarësisht se ku është dhe nuk është para drejtësisë kosovare, duhet mirë të mendohet se si do të vazhdojë dialogu dhe a duhet të vazhdojë “, th aai në emsionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Teksa tha se “është e pakuptimtë që Bashkimi Evropian del me deklaratë dhe thotë, nuk mjafton një video për me përcaktu nëse ka qenë Serbia ose jo”.

Ndryshe, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës më 24 shtator 2023, si pasojë e një sulmi nga një grup terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Milan Radojiçiq kishte lidhje me grupin e armatosur serb i cili ka kryer sulm terrorist të dielën në Kosovë. Ai ka thënë se kjo dëshmohet në dokumentet e gjetura, ku figuron lista e armëve që i ka dhënë Serbia atij. Teksa ka publikuar edhe një video ku dëshmohet prezenca e Radojiçiqit.

Në anën tjetër ëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se blloku është duke pritur një hetim të plotë rreth sulmit që ndodhi të dielën në Banjskë të Zveçanit.

Në një konferencë për shtyp, ai ka theksuar se BE-ja nuk merr qëndrim politik para se të ketë një vlerësim të duhur të situatës së përgjithshme.