Gjesti i rrallë i mjekut, i shlyen 650.000 $ borxhe pacientëve që s’kishin mundësi të paguanin

Një mjek onkolog amerikan ka bërë një gjest të rrallë duke shlyer gati 650,000 dollarë borxhe për 200 pacientë me kancer. Ai u shty ta bënte këtë veprim pasi kuptoi se shumë prej tyre nuk kishin mundësi të paguanin. Dr Omar Atiq e mbylli qendrën e tij të trajtimit të kancerit në Arkansas vitin e kaluar pas gati 30 vitesh karrierë. Ai punoi me një firmë për mbledhjen e borxheve, por më pas kuptoi se shumë familje ishin në gjendje të rënduar financiare si shkak i pandemisë Covid. Gjatë Krishtlindjeve, ai u shkruante pacientëve duke u thënë se çdo borxh do të fshihej.

Mjeku u shpreh:

Me kalimin e kohës e kuptova që ka njerëz që thjesht nuk janë në gjendje të paguajnë. Kështu që gruaja ime dhe unë menduam që t’i ndihmonim ata.

Dr Atiq, i cili është me origjinë nga Pakistani, ndërtoi Klinikën për trajtimin e Kancerit Arkansas në Pine Bluff më 1991, duke siguruar trajtime duke përfshirë kimioterapinë, terapinë rrezatuese dhe skanimet CAT. Tani është profesor në Universitetin e Arkansasit për Shkencat Mjekësore (UAMS) në Little Rock.

Burimi:BBC|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania