Qazim Qeska zgjedhet kryetar i Degës së PDK-së në Rahovec

Me vota unanime, kryesia e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Rahovec, ka zgjedhur për kryetar të ri, Qazim Qeskën.

Procesi i cili u zhvillua në prani të deputetit, njëkohësisht sekretarit për diasporë, Elmi Reçica dhe sekretarit elektoral, Betim Gjoshi, u zhvillua me korrektësi maksimale dhe frymë të lartë demokratike.

Qazim Qeska është një ndër aktivistët e vjetër të PDK-së, i cili me vite ka kontribuar për forcimin e strukturave të partisë,njofton PDK.

Ai do të pasojë kryetarin e deritanishëm, Idriz Vehapin.

Pas zgjedhjes së tij si kryetar i kësaj dege, ai ka falënderuar anëtarët e kryesisë për besimin dhe ish kryetarin Vehapi për punën e madhe që kanë bërë ndër vite në të mirë të qytetarëve të Rahovecit.

“Është një nder i posaçëm që të zgjidhem si kryetar i kësaj dege. I falënderoj të gjithë anëtarët e kryesisë për besimin që kanë treguar për mua. Kjo do të jetë një motiv shtesë që të mos ndalemi asnjëherë deri në realizimin e objektivave që do t’i kemi si strukturë dhe si parti”, ka thënë Qeska.

Partia Demokratike e Kosovës me besimin e plotë në udhëheqjen e re të kryetarit Qeska, falënderon përzemërsisht për punën e madhe ish kryetarin e deritanishëm të kësaj dege, Idriz Vehapi, i cili, për shkak të angazhimeve të reja universitare ka dhënë dorëheqeje nga posti i kryetarit.