Qeriqi përfundon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Pas dy ditësh e gjysmë dëshmi, ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.Në fund të dëshmisë, dëshmitari u mor në pyetje nga trupi gjykues, saktësisht gjyqtarët Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Dëshmitari tha se në mes të gushtit 1998 është emëruar zyrtarisht si komandant i Batalionit, por që këtë funksion e ushtronte edhe më herët.“M’u ka dhënë me shkrim vendimi. Ndërsa, edhe më herët, batalioni ka funksionu si batalion. Por, në këtë kohë m’u ka dhënë me shkrim”, tha ai.

Dëshmitarit iu prezantua edhe rregullorja që supozohet që është e policisë ushtarake e cila është nënshkruar nga Haxhi Shala, në të cilën sipas trupit gjykues thuhet se ata kanë të drejtë të ekzekutojnë, arrestojnë edhe komandantët e batalionit, në rast të shkeljes së rregullores.Qeriqi tha se fjala ‘ekzekutoj’ e përdorur në atë dokument nuk është fjalë e mirë dhe nuk i kujtohet nëse ka pasur raste të tilla diku gjatë kohës sa ka shërbyer në luftë.
“Po tash masi e lexut ju, me ra në sy, jo fjalë e drejtë, jo fjalë e mirë. Nuk e di që kanë ekzekutu dikun. Nuk e di pse e kanë shkru këtu, duhet me e pyet Haxhiun jo mua, fjalë e keqe. Të ekzekutohet, s’kam përgjigje, po më çuditë pse e kanë shkru këtu. Policia ka të drejtë të arrestojë është… pytne Haxhiun”, tha dëshmitari.Qeriqi shtoi se fjala ‘ekzekutoj’ e ka kuptimin që “të eleminoj”.
Ndërsa, sa i takon çështjes së bashkëpunëtorëve me Serbinë, Qeriqi tha se asnjëhrë nuk është diskutuar në mbledhjet javore në nivel brigade.Qeriqi u mor në pyetje edhe nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq e po ashtu edhe nga ai i Veselit, Ben Emmerson.

Lini një Përgjigje