Qeveria e shqetësuar nga dhuna e shfaqur gjatë aksionit të PSD-së

Qeveria e Kosovës ka thënë se është e shqetësuar nga pamjet e dhunës që janë shfaqur të premten në aksionin e Partisë Socialdemokrate.

Tetë aktivistë të kësaj partie u arrestuan para Ministrisë së Drejtësisë pas një aksioni ndaj veturave zyrtare si shenjë proteste për marrëveshjen që Qeveria ka nënshkruar për “tiketat digjitale”.

Në aksion Policia përdori forcën për të arrestuar aktivistët, ndërsa në mbrëmje u suspendua përgjegjësi i operacionit policor.

Ndërkaq, Qeveria në mbrëmje ka thënë se beson “në të drejtën për protestë demokratike sepse ajo para se gjithash është një e drejtë e patjetërsueshme që kultivohet dhe garantohet në shoqëritë demokratike”, transmeton Fokusi.info.

“E tillë është shoqëria jonë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës afirmon këtë të drejtë. Jemi të shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë një aksioni të Partisë Socialdemokrate. Policia e Kosovës ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, qetësinë publike dhe mbrojtjen e pronës, duke respektuar të drejtat e njeriut. Përgjegjësi për operacionin e policisë tashmë është suspenduar, kurse Inspektorati Policor i Kosovës po vazhdon hetimet e mëtutjeshme lidhur me rastin. Në qeverisjen demokratike nuk ka vend për dhunë nga askush”, ka thënë ajo në një komunikatë për media./Fokusi.info/