Qeveria ndan rreth 20 milionë euro, ja cilat sektore do të përfitojnë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka folur për media pas mbledhjes së Qeverisë ku është aprovuar fondi prej 6 milionë eurove për të ndihmuar bizneset që janë dëmtuar nga pandemia.

“Kemi marrë tri vendime ose një pako prej afërsisht 20 milionë euro për të ndihmuar apo sado pak të zbusim efektet e pandemisë Covid-19 në vendin tonë. Më saktësisht bëhet fjalë për një fond prej 6 milionë eurove që do të ndahet për gastronominë, qendrat tregtare të mbyllura, fitneset, palestrat si dhe kooperatorët e transportit ndërurban. Kjo masë do të mbulojë pagat dhe qiratë, ashtu siç kemi thënë deri në 50%, aplikimi do të bëhet ashtu siç ka qenë herën e kaluar dhe përfituesit do të jenë punëtorët në rastin e pagave, ndërsa tek qiratë do të përfitojnë qiramarrësit”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se nga pjesa tjetër e fondit do të përfitojnë edhe punëtorët shëndetësorë dhe sektorin e sigurisë.

“Vendimi tjetër ka të bëjë me mbështetjen në paga për sektorin e shëndetësisë dhe atë të sigurisë. Do të ketë shtesa prej 150 eurove për sektorin shëndetësor për muajin prill dhe maj, dhe nga 100 euro për stafin ndihmës. Për sektorin e sigurisë, bëhet fjalë për 100 euro shtesa për muajt prill dhe maj për ata që kanë qenë të angazhuar për zbatimin e masave në teren dhe i janë ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut”, ka thënë ministri.

Vendimi i tretë i Qeverisë ka qenë për vazhdimin e mbështetjes të skemave pensionale dhe sociale, ku familjet që janë në skema sociale do të kenë shtesa prej 30%.