Qeveria sqaron se çka nënkuptojnë masat emergjente për energjinë

Qeveria e Kosovës ka shpallë masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Në një komunikatë të lëshuar, Qeveria ka dhënë një sqarim se çka saktë nënkupton ndërmarrja e masave emergjente.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë nuk vendos masa kufizuese, por sipas legjislacionit në fuqi i jep të drejtën Ministrisë së Ekonomisë që gjatë një periudhe 60 ditore të marrë masa sipas nevojës, në bazë të rekomandimeve të një Komiteti teknik të themeluar me këtë vendim”.

Këto masa emergjente përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Ekzekutivi ka vendosur po ashtu që të themelojë Komitetin Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, që përbëhet nga zyrtarë të institucioneve relevante apo ndërmarrje të energjisë, i cili ka për qëllim që të identifikojë dhe paraqesë rekomandime për masat kufizuese për ministren Artane Rizvanolli.

Masa të tjera kufizuese, sipas këtij vendimi të qeverisë, janë kufizimet mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë, vendosja e kushteve të veçanta komerciale, kufizimi i tregtimit të energjisë ose vendosja e kushteve të veçanta për tregtim.