Deliu: Kurti t’i kërkojë falje Blinkenit për deklaratën e tij skandaloze

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pasur kritika ndaj Qeverisë Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Deliu, edhe një herë tha se PDK-ja kërkon që tre policët e rrëmbyer nga Serbia javën e kaluar, të lirohen menjëherë dhe pa kushte, pasi mbi ta rëndojnë akuza të pabaza.

“Thirrja jonë mbetet e njëjtë, lirimi i tyre menjëherë dhe pa asnjë kusht. Thirrje të tilla kanë bërë ShBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja. Roli i Shqipërisë vazhdon të mbetet i madh”, tha ajo në seancën plenare.

Mes tjerash, ligjvënësja opozitare theksoi se janë të shqetësuar me acarimin e raporteve të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë.

“Shpresojmë që angazhimi të bëjë që policët të kthehen në punë dhe në familjet e tyre. Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me raportet e Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë”, tha ajo.

Sipas saj, Kurti i të mbyllura dyert te miqtë e Kosovës, pas zhvillimeve dhe veprimeve të fundit në komunat veriore të Kosovës. Për rrjedhojë, Kodra tha se sot Kosova ka më pak sovranitet, siguri dhe rend në veri.

“Sot si rezultat i qasjes aventureske, kemi më pak sovranitet, siguri, rend dhe shtet”, tha ajo.

Krejt në fund, ajo pret që Kurti t’i kërkojë falje sekretarit amerikan të Shtetit, i cili pas tensioneve të krijuara në Veri tha se “ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rritë pasigurinë”.

“Kurti t’i kërkojë falje zotit Blinken për deklaratën e tij skandaloze. është e domosdoshme për aq sa i është kryeministër i Kosovës. Na mbetet përgjegjësia e madhe për t’u distancuar nga kjo gjuhë që ai tash e sa kohë po komunikon me partnerët”, tha ajo.