QKUK: Kjo ishte diagnoza përfundimtare e vdekjes së 23-vjeçares nga Drenasi

Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës ka dërguar një komunikatë për shtyp, për të sqaruar situatën e vdekjes së 23-vjeçares nga Drenasi, familjarët e së cilës sot pretenduan se shkak i vdekjes ishte vaksina antiCOVID – Pfizer.

Nga QKUK bëjnë të ditur se diagnoza përfundimtare e vdekjes së saj ishte hemoragjia intraabdominale, dhe se familjarët e së ndjerës kanë refuzuar obduksionin”.

“Në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga  fshati Zabel i Drenasit, sqarojmë se,  pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra  e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së  vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar”.

“Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka  ndërmarrë masat reanimatore,  pacientes i  bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat  tjera mjekësore”.

“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente,  pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45”.

“Diagnoza përfundimtare e vdekjes  ishte  hemoragjia intraabdominale (   gjakderdhje në bark) , shok hemorragjik. Familjarët kanë refuzuar abduksionin”.