QKUK tregon për gjendjen shëndetësore të personave që u lënduan mbrëmë nga mjetet piroteknike

Mbrëmë 13 persona kanë kërkuar ndihmë në Klinikën Emergjente, si shkak i lëndimeve trupore nga mjetet piroteknike, dy prej tyre kanë marrë lëndime më të rënda.

Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Agron Çitaku thotë se ka qenë një fluks normal i qytetarëve, krahasuar me vitet paraprake.

“Mund të them se është me fat në krahasim me vitet tjera, sepse është numër më i vogël i të lënduarve. Prej mjeteve piroteknike i kemi 13 të lënduar. Dhe dy raste që janë pak më të rënda, është një me lëndimin me plumb qorr. Rastet e tjera janë liruar në shtëpi, megjithatë dy raste kanë mbetur për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK… për momentin mund të themi se gjendja është stabile”, theksoi ai.

Çitaku shton se gjatë tërë kohës kanë bërë apel te qytetarët që të festojnë pa armë dhe mjete piroteknike, megjithatë sipas tij ka pasur lëndime.