Quni: Kushdo që e mohon UÇK-në, mohon sakrificën e brezave për liri

Anton Quni ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të Shkelzen Gashit, këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurti i cili sot tha se UÇK ka vrarë civilë të pafajshëm serbë dhe pjesëtarët e UÇK duhet të dënohen.

Quni në një prononcim për Periskopin thotë se kushdo që e mohon luftën e UÇK-së e mohon qenjën, historinë e përgjakshme dhe sakrificën e brezave të tërë ndër shekuj për liri, demokraci e pavarësi.

”UÇK-ja ka zhvilluar luftë të drejtë dhe çlirimtare. Në kulturën dhe traditën tonë të lashtë kemi mësuar se; Dardanët ishin të vetmit që i festonin fitoret me robërit e luftës dhe pastaj i lironin. Se i kemi respektuar ligjet e luftës, ne të Brigadës 138 jemi dëshmitarë; ushtarët serb të zënë rob – sot vazhdojnë jetën pranë familjeve të tyre. Ne nuk e sulmuam askënd, ne luftuam për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, sic thoshte presidenti Rugova. Kushdo që e mohon këtë fakt, e mohon qenjën, historinë e përgjakshme dhe sakrificën e brezave të tërë ndër shekuj për liri, demokraci e pavarësi.”, tha Quni.