Qytetarët ankohen për shtrenjtimin e produkteve të konsumit

Çmimet e produkteve bazë janë shtrenjtuar në Kosovë, e janë qytetarët që ankohen se këto çmime po bëhen të papërballueshme për ata.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumimit në dhjetor të vitit të kaluar janë shtrenjtuar për 0.2 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më herët.

Çmimi është rritur në produktet si mishi 0.6 përqind dhe perimet 5.7 përqind. Ndërsa, kjo ngritje e çmimeve po vërehet edhe gjatë këtij muaji.

Qytetarët deklarojnë se çmimet po rriten për çdo festë, duke thënë se nuk po shikohet fare se cilat janë mundësitë e qytetarëve për t’i blerë këto produkte.

Fahrije Pajaziti, banore e Prishtinës, thotë se që para festës së Vitit të Ri në tregun e gjelbër janë shtrenjtuar të gjithë artikujt.

Duke qenë se jeton vetëm me bashkëshortin, ajo thotë për KosovaPress, se nuk e kanë vështirë të përballojnë shtrenjtimin e çmimeve të gjërave ushqimore.

Se çmimet po bëhen të papërballueshme e thotë edhe qytetarja Lumnije Halilaj, sipas së cilës në vazhdimësi në vend ka ngritje të çmimeve të ushqimeve bazë.

Ndërkaq, qytetari Xhevat Isufi, thotë se ngritja e çmimeve po bëhet pak e tepërt, pasi çmimet duhet të jenë në një linjë me pagat dhe pensionet.

Megjithatë, qytetari Bajram Osmani, thotë se nëse çmimet rriten për shkak se nuk importohet nga Serbia, është e pranueshme për të.

Derisa tregtarët në tregun e gjelbër nuk kanë dashur të flasin lidhur me rritjen e çmimeve. Përveç gjerave ushqimore, në kryeqytet është shtrenjtuar edhe kafeja.

Janë disa lokale në lagjen e Muhagjerëve, janë koordinuar dhe nga 0.50 cent, ditëve të fundit kanë rritur çmimin në 0.70 cent. KosovaPress ka tentuar të flas me banorët në këtë lagje por ata nuk kanë dashur të flasin para kamerave.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perimet -9,3%, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera -1,9% – rënie e çmimeve të druve për ngrohje), përdorimi i pajisjeve për transportin personal -1,8%)-(rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), shërbimet për transport -5,9%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,6 për qind në IHÇK-it.