Qytetarët të pakënaqur, presin me orë të gjata për t’u furnizuar me miell

Gjendja e jashtëzakonshme e krijuar në Kosovë pas rasteve të para pozitive me koronavirus ka bërë që të rritet numri i atyre që kërkojnë të furnizohen me rezerva ushqimore, sidomos me miell.

Interesimi për të siguruar një thes miell që nga shfaqja e koronavirusit duket të jetë i madh.

Qytetarë të shumtë shihen duke pritur në radhë për të blerë miell, në mullinj të ndryshëm të Kosovës.

Për një thes miell duhet të pritet deri në shtatë e tetë orë, varësisht se në cilin mulli shkon.

Por edhe kjo pritje për dikë del të jetë e dështuar, pasi nuk mund të furnizohet me miell.

Një qytetar nga Prishtina, N.R, ka treguar se së bashku me disa kolegë kanë shkuar të mërkurën në një mulli në Sekiraqë të Podujevës për t’u furnizuar më miell, por tre prej tyre u kthyen pa miell. “Shkuam ka ora 1:00 i natës për të marrë nga një letër dhe pastaj disa orë më vonë për të pritur në radhë për t’u furnizuar me një thes miell. Unë isha vet i katërti, me disa shokë, por shkuam me një veturë. Por, prej neve të katërve kishim drejt veç një thes miell 50 kilogramë, sepse na thanë se një person me një veturë e merr një thes miell, jo më shumë veta. Secili duhej të kishte veturën e vet dhe me prit në radhë. Kjo mu duk e paarsyeshme, sepse ai që nuk ka veturë a duhet me mbetet pa miell?. Nuk e di pse nuk ka reagim nga institucionet për këtë situatë. Në asnjë market nuk ka miell dhe zyrtarët e institucioneve dalin me deklarata e thonë se nuk ka mungesë të produkteve”, ka thënë N. R, raporton“Epoka e re”.

Edhe një qytetar tjetër nga Fushë Kosova, H.B, thotë se ka pritur mbi pesë orë në një fabrikë mielli në Prugovc të Prishtinës për të marrë një thes miell. “Kjo është e patolerueshme. Përnjëmend është për t’u shpallur gjendje e jashtëzakonshme kur nuk e ke bukën për të mbijetuar. Unë u furnizova me miell por u dashtë bukur do orë me prit. Plotë shokë me shkruajnë në Facebook e me thonë a ke gjetur miell. Është shqetësim i madh”, ka thënë H.B.

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Muhamet Selmani, ka folur rreth gjendjes me furnizim të miellit dhe për radhët e gjata të krijuara afër fabrikave të miellit.

Ai ka thënë se ka miell të mjaftueshëm nëpër mullinjtë e Kosovës dhe së është rritur importi i miellit.

Selmani ka apeluar që mos të bëhet panik për këtë çështje. “Prej datës 13 mars në Kosovë janë importuar 680 tonë grurë dhe janë të mjaftueshme për popullatën e Kosovës. Plus shto rezervat”, ka thënë Selmani për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se si rezultat i gjendjes që ka krijuar qeveria me shpalljen e gjendjes emergjente, qytetarët ka filluar t’i kap paniku. “Në asnjë moment fabrikat se kanë ndalë prodhimin, përkundër është punuar me kapacitete të dyfishuara vetëm që mos të presin njerëzit në radhë. Ju them me përgjegjësi të plotë se ka rezerva të mjaftueshme dhe askush s’do të mbetët pa miell. Po ashtu, apeloj te qytetarët e Kosovës që mos të blejnë miell që më vonë do t’u mbetët nëpër depo dhe bodrume, por ta lejojnë atë miell të shkojë nëpër furra, ku edhe mund të blejnë bukë”, ka thënë Selmani.

Ai ka theksuar se importi i miellit është rritur pas deklaratave të kryeministrit i cili ka premtuar se pas datës 15 mars do ta heq tarifën për lëndën e parë. “Më vonë nuk doli ashtu dhe kjo është një ndër faktorët e tollovisë. Kjo ka bërë që prodhuesit e miellit të furnizohen nga vendet e tjera si Bullgaria e Kroacia. Sipas informatave që kemi nëpër mullinjtë e Kosovës ka rezerva të mjaftueshme, po s’mund të themi saktësisht sa, pasi janë konfidenciale për shkak të biznesit”, ka thënë Selmani.