Radha e Termokosit për lajme të këqija: Dimrit do të ketë reduktime të ngrohjes

Kryeqyteti mund të përballet edhe më mungesë të ngrohjes përveç energjisë elektrike gjatë dimrit. Për shkak se ngrohja në Prishtinë varet nga energjia elektrike, reduktimet në rrymë mund të sjellin edhe reduktime në orët e ngrohjes.

Afërdita Uka, zëdhënëse e ngrohtores “Termokos”, ka thënë se kjo ngrohtore varet kryekëput nga KEK-u.

Ajo në emisionin “60 Minuta” të KTV-së sqaroi se pajisjet e ngrohjes nëpër bodrumet e objekteve punojnë me energji elektrike e që nënkupton se në ndaljen e rrymës edhe ato do të pushojnë së punuari.

“Varemi kryekëput nga mundësitë e KEK-ut për të na furnizuar avullin. Që nga viti 2014 kemi furnizuar me ngrohje të mjaftueshme konsumatorët pa ndonjë ditë ndërprerje, me ndonjë përjashtim të rrallë”.

“Duhet ta dinë konsumatorët se meqë jemi të varur nga KEK-u, do të jemi të varur edhe nga reduktimet që do të kenë ata në orarin e furnizimin me energji elektrike për konsumatorët tanë. Në rastet kur termocentrali Kosova B do të na ofrojë avullin që marrim prej tyre për të furnizuar me ngrohje konsumatorët, kjo nuk do jetë e mjaftueshme në ato objekte banesore ku do ketë reduktime të energjisë pasi të gjitha pajisjet në stacionet ngrohëse nëpër bodrumet e objekteve punojnë me energji elektrike”, tha Uka.

Megjithatë, Uka u shpreh optimiste se reduktimet pak orëshe nuk do të jenë problem i madh për qytetarët që ngrohen nga “Termokosi”.

“Shpresojmë se do kemi dimër pak më të lehtë se që po parashikohet ngase nëse ne furnizojmë me ngrohje për 24 orë me radhë pa ndërprerje dhe ato reduktime 2-3 orëshe qoftë nëse një ambient i brendshëm banesor ngrohet mjaftueshëm, besojmë se ajo energji termike që është akumuluar brenda objekteve banore do mjaftojë që ta përballojnë të ftohtin deri në rikthimin e furnizimin me energji”.

Uka tregoi se ngrohtorja po punon për zgjerimin e ngrohjes në Prishtinë dhe se mbi 140 objekte të reja këtë vit janë kyçur.

“Jemi në proces të realizmit të projektit të zgjerimit të ngrohjes. Rrjeti i ngrohjes është shtrirë te Mati 1, te 141 objekte të reja të kësaj lagje. Plani ka qenë të kyçen 100 objekte por ka ndodhur shumësi e objekteve të reja dhe jemi detyruar të ndërpresim realizimin e projektit dhe kemi bërë rishikim të tij”.

Ndërsa, edhe mbi 80 objekte të vjetra do t’i shtohen këtë vit sistemit të ngrohjes.

“Nëpër lagjet ekzistuese ku është i shtrirë rrjeti ngrohës, si lagja Qendër, Ulpiana, Dardania dhe Bregu i Diellit kemi 86 objekte të vjetra banesore që do të kyçen në rrjetin e ngrohjes, nuk kanë qenë asnjëherë të kyçura”, theksoi Uka.

Uka ka thënë se rreth 18 milionë euro llogaritet borxhi i rreth 16 mijë konsumatorëve i cili është që nga paslufta e deri tash.