Raka: Distanca, kryefjala e mbrojtjes nga koronavirusi

Mikrobiologu Lul Raka vlerëson se mbajtja e distancës në këtë kohë pandemie, është kryefjala e mbrojtjes nga koronavirusi.

Raka, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, tha se nëse tash janë hequr masat kufizuese, nuk do të thotë që të mos ketë zbatim të masave mbrojtëse.

“Distanca është kryefjala e mbrojtjes. Aty ku nuk ka hapësirë për mbajtje të distancës, atëherë vjen në shprehje mbajtja e maskës”, ka thënë Raka.

Ai ka folur edhe për rekomandimet e hershme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilës, mbajtja e maskave nuk është gjithaq e nevojshme. Sipas mikrobiologut Raka, kjo është bërë edhe për ruajtjen e maskave për punëtorët shëndetësorë.

“Nëse kthehemi 3 muaj prapa, atëherë del se ka pasur maska dhe respiratorë vetëm për disa ditë. Nëse jepet rekomandimi shtetëror se duhet të vendosen maska, atëherë shteti duhet t’i sigurojë për qytetarët 1.5 milionë maska në ditë. E ne nuk kishim as për punëtorët shëndetësorë”, ka thënë ai.

Raka ka shtuar se masat kufizuese që janë marrë më herët kanë shpëtuar shumë jetë. Ai i është referuar edhe një studimi të sotëm, sipas të cilit, janë shpëtuar 3.1 milionë jetë me masat kufizuese në shtetet evropiane.

“Poenta e parandalimit është të shpëtohen jetët e njerëzve. Rezultati i sotëm tregon se janë shpëtuar 3.1 milionë jetë me masat restriktive, parandalimi është kryesori, mjekimi është i vonshëm”, ka shpjeguar Raka.