Raketat “Javelin”/ Njohësi ushtarak: Më e efektshmja në shkatërrimin e tankeve

Blerja e raketave “Javelin” është investimi i fundit që është bërë nga Qeveria e Kosovës për Forcat e Armatosura të Kosovës.

E, kjo po vlerësohet pozitivisht nga njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja.

Ai në një prononcim për Front Online ka thënë që “Javelin” është më e efektshmja për shkatërrimin e tankeve.

“Unë mendoj se këto raketa të cilat janë blerë e kanë një efektivitet shumë të madh, goditjet e tankeve të armikut, ne nuk kemi mundësi të kemi tanke në numër të madh, sikur që ka armiku në momentin aktual, por që ne po shkojmë në atë drejtim që duhet të jemi që të kemi mjete antitank. Si mjet antitank është “Javelin”, e cila është më e efektshme deri në 100 m, por mundet deri në 200 m, të goditjes së tankut”, ka thënë ai.

Qehaja: Për dy vite është bërë investimi më i madh në FSK, se sa në 10 vitet e kaluara

Në këto dy vitet e fundit, Qehaja thotë se është bërë investim më shumë në FSK, se sa në 10 vitet e kaluara.

Njohësi ushtarak thotë se Ushtria e Kosovës tanimë ka gatishmëri luftarake.

“Unë mendoj që financimi, dhe ngritja e buxhetit për FSK-në është me vend, dhe ne për dy vitet e fundit kemi bërë më shumë se sa që është bërë në 10 vitet e kaluara, dhe e kemi ngrit një gatishmëri luftarake të ushtrisë sonë, për çështje të mbrojtjes”, ka thënë ai.

Ani pse NATO operon në vend, Qehaja thotë se duhet Kosova që me forca vetanake të mbroj territorin.

“Pavarësisht se NATO është në Kosovës, ne duhet që me forca vetanake të i japim një goditje armikut i cili do të tentonte të shkëpuste një pjesë të territorit të Kosovës, apo të mar tërë territorin e Kosovës ashtu siç e kanë të shkruar serbët në kushtetutën e tyre, sepse ende na trajtojnë si pjesë përbërëse të tyre”, ka thënë ai për Front Online.

Ai foli edhe për rikthimin e Kosovës në “Defender Europe 2025”.

Qehaja tha se përjashtimi i Kosovës ishte politike, por që dihej se do të kthehej.

“Mendoj që largimi nga Defender ishte i momentit, ishte më tepër një çështje politike, por gjithnjë kam menduar dhe ka ndodh që ne të jemi pjesë përbërëse e kësaj force, sepse ne duhet të jemi të përgatitur, të stërvitur konform doktrinave të NATO-s”, ka thënë ai.

Blerjen e raketave e kanë konfirmuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Sipas tyre, raketat “Javelin”, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë 75 milionë dollarë.