Rama falënderon ambasadoren Kim: I ke dhënë cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e stërvitjes “Defender 21” kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka falënderuar ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Rama ka theksuar se ambasadorja Kim i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Është një nder i veçantë dhe një privilegj për mua që sot në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë t’iu shpreh mirënjohjen të gjithë ushtarakëve të përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse për nga përmasat dhe për nga mesazhi i saj. Njëkohësisht dëshiroj që përveç dhe përtej mirënjohjes për të gjithë djemtë dhe vajzat, burrat e gratë nën uniformë që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe që në të njëjtën kohë përbëjnë dhe garancinë dhe sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe për Shqipërinë me përkushtimin dhe sakrificat e tyre t’iu shpreh mirënjohjen edhe familjeve të tyre. Familje që sakrifikojnë çdo ditë dhe që janë të parat që preken nga emocionet jo të vogla dhe jo të rralla të përfshirjes së pjesëtarëve të tyre në Forcat e Armatosura për të cilat jo çdo ditë është e qetë dhe jo çdo kohë është e sigurt”.

“Po sot dua t’i falënderoj me mirënjohje të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse nga ShBA-të dhe nga të gjitha vendet e tjera si dhe dua t’i bëj një falënderim të posaçëm përfaqësueses së qeverisë së ShBA-ve në Shqipëri, ambasadores Yuri Kim e cila me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetjen e kërkesave dhe të nevojave të vendit tonë qoftë në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, qoftë të kapaciteteve tona të drejtësisë”, ka deklaruar Rama.