Rama: Kemi dy marrëveshje për dërgimin e FSK’së jashtë vendit, me amerikanët dhe Kuwaitin

Komandanti i FSK’së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama është shprehur se pjesëmarrja e FSK’së në misione ndërkombëtare është në kuadër të procedurave ligjore për dislokim jashtë vendit.

Komandanti i FSK’së tha se për çdo mision jashtë vendit të FSK’së është i obligueshëm miratimi nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar që sot nga ora 18:00 të mbahet Seancë e Jashtëzakonshme e Kuvendit për dërgimin e FSK-së në misione me Gardën Kombëtare të Iowas.

Lidhur me këtë kërkesë të shefit të qeverisë, Kryesia e Kuvendit është mblidhur në orën 15:00 për të diskutuar rreth mbajtjes së seancën së jashtëzakonshme për shqyrtimin e Propozim-Vendimit të Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Komandanti i FSK’së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se dërgimi i FSK’së në misione jashtë vendit është në kuadër të procedurave ligjore për dislokim.

Sipas Ramës, Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë dislokimin e trupave të FSK’së jashtë vendit në bazë të ligjit.

“Këto janë procedura ligjore për dislokim jashtë vendit që është mbi bazën e ligjit që duhet të miratohet në parlament. Çdo mision jashtë vendit është e obligueshme me marrë miratimin e Kuvendit dhe është në kuadër të Ligjit për FSK’në. Kjo është vetëm aprovim i marrëveshjes për dislokim të trupave jashtë vendit, dhe miratohet me shumicën e thjeshtë në Kuvend. Ne kemi marrëveshje me ushtrinë amerikane, dhe mbi bazën e marrëveshjes e kanë miratu pjesëmarrjen tonë dhe tash zyrtarizohet në Parlament”, ka thënë Rama për Gazetën Express.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama tha poashtu se FSK’ja ka dy marrëveshje të arritura deri më tani për dislokim të trupave jashtë vendit.

“FSK’ja ka dy Marrëveshje njëra është që ne të bëjmë operacione me ushtrinë amerikane në këtë rast me Gardën Nacionale të Iowas dhe është marrëveshja me Kuwaitin që kemi marrë pjesë në atë shtet dhe pasi të aprovohet në Parlament ne bëhemi pjesë e operacioneve. FSK’ja ka marrëveshje partneriteti me Iowan, në kuadër të atij partneriteti që e kemi kemi bërë marrëveshje me shtetin amerikan dhe na kanë aprovu pjesëmarrjen e FSK’së e cila duhet të miratohet në parlament”, tha Rama.

Ai tutje u shpreh se kjo nuk ka të bëjë me misionet e NATO’s dhe se është misionin i Gardës Nacionale të Iowas.

“Kjo nuk ka të bëjë me misionet e NATO’s, është mision i Gardës Nacionale të Iowas, sikur Iowa që është në Bondsteel ka aty edhe trupa tjerë por veprojnë nën komandën e Gardës së Iowas”, tha ai.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës, të zgjasë dhjetë vjet.