Rama: Le të më tregojë një ndër shumë më të mençurit se unë çfarë të keqe ka “Open Balkan” për Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thumbuar tërthorazi homologun e tij nga Kosova Albin Kurti i cili e kundërshton fuqishëm iniciativën rajonale “Mini-Shengen” që nga sot do të quhet “Open Balkan”.

Rama, në Forumin Ekonomik Rajonal në Shkup, mori shembull gatishmërinë e vendeve të rajonit për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë kur u godit nga tërmeti duke thënë se ky është shpirti i kësaj nisme.

“Kur në nëntorin e vitit 2019 në Shqipëri ra tërmeti ishin forcat e kërkim-shpëtimit nga vendet e rajonit që mbërritën me shpejtësi dhe mes tyre ishin edhe forcat e kërkim-shpëtimit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Çfarë kuptuam ne në atë moment tragjik është se e kuptuam se sa e rëndësishme ishte që të mos ndjeheshe vetëm dhe sa e vlefshme ishte që në një terren të shkatërruar ku kishte qindra jetë njerëzish nën gërmadha të kishe më shumë forca”.

“Sot faktikisht ne e kemi firmosur një marrëveshje për të qenë bashkë në çdo rast ku larg qoftë cilido nga vendet tona përballet me forcat e natyrës. Tani më thoni mua ose të çohet një ndër shumë më të mençurit se unë dhe të më thotë se çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën që të bashkoheshin në këtë nismë e cila hap rrugën që forcat tona të emergjencave të ndërveprojnë së bashku, të stërviten së bashku hera-herës, të kenë një sistem të përbashkët alarmi dhe bashkërisht të gjenden aty ku duhet për të ndihmuar, apo në rastin kur për shkak të gjithë ndryshimeve klimatike apo veprimeve kriminale sipërfaqe të tëra pyjesh digjen. Ku është e keqja që helikopterët e vendeve tona të gjenden aty të gjithë bashkë, që forcat e specializuara për shuarjen e zjarreve të jenë aty gjithë bashkë? Ky është shpirti i kësaj nisme”.