Rama: Nuk ka ndërkombëtar që propozon negociata me politikanë që kanë veshur jelekun e verdhë

Kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij me medien pas protestës së dhunshme të opozitës, ceku edhe ngjarjen e natës së mbrëmshme, kur siç tha ai, është kërcënuar ambasadori i OSBE-së, menjëherë pas një deklarate shumë të qartë të OSBE-së që foli për organizatorë, përgjegjës, për dhunë kriminale.

“OSBE-ja, organizata që zakonisht kur flet duket se i ka të peshuara të gjitha në kandar farmacie që do të thotë se kur OSBE bën këtë deklaratë, duhet të bëjmë një pyetje A jemi vërtet të vetëdijshëm deri në fund se çfarë është kjo? Dhunë kriminale e pashembullt, se dikush në hije, dikush që ndjehet i përjashtuar totalisht nga rrjedha e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore vesh jelekun e verdhë, del në Shans Elize ose tenton të shkojë deri në derën e Asamblesë Nacionale dhe e bën këtë që është e papranueshme dhe e patolerueshme, por sidoqoftë vjen nga dikush që ndjehet se s’ka zë. Por një grupim parlamentar që ka detyrimin kushtetues të përfaqësojë të tjerët që i kanë dhënë votën për ta përfaqësuar, që del nga parlamenti dhe pastaj vjen natën para parlamentit me jelekun e verdhë është fundi”, theksoi Rama

“Nuk ka ndërkombëtar që të ulet të bëjë një paketë për të propozuar negociata me këta, nuk ekzistojnë. Nuk negociohet me jelekët e verdhë, jo më të negociohet me politikanë që kanë veshur jelekun e verdhë. Çfarë do negociosh, flas në sytë e ndërkombëtarëve, ndërsa për mua që jam këtu, dialogohet patjetër. Por, të negociojmë mandatin? Ata mendojnë se ne jemi si ata që mandatin e marrë nga qytetarët e konsiderojnë një leckë”, përfundoi kryeministri./atsh