Rama nuk komenton largimin e Berishës nga PD: Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar për interes të vendit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka komentuar veprimin që bëri Lulzim Basha duke larguar Sali Berishën nga Partia Demokratike. Ai ka thënë se Partia Socialiste ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, dhe të gjitha të tjerat janë pak të rëndësishme.

Ai në mbyllje të seancës së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me PD-në në interes të vendit dhe në funksion të interesave të njerëzve.

“Partia Socialiste ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër. Partia Socialiste, sot është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të rrugëtimit të saj, sepse duhet të ndjejë në të gjithë qelizat e veta përgjegjësinë e jashtëzakonshme të çuarjes së Shqipërisë në një nivel tjetër dhe sa shumë punë, sa shumë mund, sa shumë energji kërkon kjo dhe sa pak të rëndësishme janë këto të tjerat…..Ne vijmë në këtë Kuvend në mandatin tonë të tretë me dorën e shtrirë. Kjo është diçka që unë e kam thënë qysh në krye të herës, pa marrë parasysh se si do të shkonin zhvillimet brenda PD-së. Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit, në funksion të interesave të njerëzve, në funksion të të gjithë atyre borxheve që ne ja kemi popullit, ja kemi fëmijëve tanë”, tha ai.

Rama është pyetur nëse ishte trishtuar apo u gëzuat kur mori vesh për përjashtimin e Berishës nga Partia Demokratike.

“Trishtimet dhe gëzimet janë evenimente shumë të rëndësishme në brendësinë e njeriut, për t’i shpërdoruar për çështje të natyrës politike, aq më tepër në një kamp tjetër”, tha ai.