Rama: Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë rritur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është shprehur se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë rritur.

Gjatë këtij fjalimi ai gjithashtu ka prezantuar projektin e portit Porto Romano që lidhet me Prishtinën.

Kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama tha se projekti i Portit të Durrësit, është njëri ndër projektet më strategjitë dhe më i rëndësishëm i cili në vete ka edhe hekurudhën që lidhë Prishtinën me Durrësin, raporton Demokracia.com.

“Ne kemi ardhur bashkë me përfaqësuesit e kompanisë për të prezantuar këtu studimin e portit të Durrësit i cili faktikisht shtrihet nga Durrësi në Prishtinë me portin pritës në Durrës dhe me Portin e thatë të Prishtinës çka përbën një projekt me rëndësi strategjike i cili ka brenda edhe hekurudhën Durrës-Prishtinë për të cilin ne kemi filluar punën konkretisht me studimin përkatës, dhe besojmë që duke e shtyrë këtë projekt me portin e ri me portin e Durrësit me portin e thatë të Prishtinës dhe portin e ri të Durrësit të integruar me hekurudhën dhe me portin ushtarak bazë të NATO-së në Mesdhe në Durrës për të cilën ne kemi filluar kontaktet me NATO-n, jemi në një situatë tërësisht tjetër për vjeçarët e ardhshme….”, ka thënë ndër të tjerash Rama.

Tutje Rama ka thënë po ashtu se do t’u vijë fundi edhe pritjeve të gjata në kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Dua ta rikujtoj ministrave të brendshëm se kemi një protokoll të nënshkruar në prill të 2019 në morinë që shërben si lehtësues për kalimin praktik të kufirit. Besoj se kryeministri është dakord që në këtë sezon është e palejueshme që të kemi probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet apo viteve tjera dhe radha të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqipërisë”, theksoi Rama.