Ramush Haradinaj i përgjigjet Edi Ramës

Ramush Haradinaj i është përgjigjur Edi Ramës për kërcënimin me padi që ia bëri kryeministri shqiptar mbrëmë në një intervistë. Kryeministri i Kosovës në detyrë ka thënë se i respekton të drejtat e Ramës.

“S’e kam përcjell intervistën e tij, por i kam parë disa lajme në portalet kosovare. E kam shprehur qëndrimin tim në lidhje me refuzimin dhe kundërshtimin e ndarjes së territoreve, që ka qenë një maskim për ndarjen e Kosovës. Ajo do të kishte pasoja të mëdha për planin politik të Kosovës dhe humbje të madhe për të.

Rezervat më të mëdha në Evropë gjendjen në “Trepçë”. Këto kanë qenë vendim legjitim imi. S’kam koment për deklarata të tjera. Ai ka të drejtat e veta, ia respektoj. Unë i kam mbajtur ato qëndrime legjitime dhe vazhdoj t’i mbaj. Për Atdheun para se gjithash. S’dua të kaloj në qasje të tjera. I kam vëllezër kudo që janë shqiptarët, edhe të majtët dhe të djathtët.

Detyra ime në mbrojtje të Kosovës, kjo është tokë e shqiptarëve, e të gjithë neve. Qëndrimi im kundër ndarjes është legjitim. I respektoj të gjitha të drejtat e kryeministrit, apo dhe të qytetarëve shqiptarë”, i ka thënë Haradinaj News24-s, në Shqipëri.