Ramush Haradinaj “ultimatum” Albin Kurtit: Qysh sot Qeveria të lejoj tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shumës prej 100 eurove për kategori të caktuara.

Sipas tij, edhe një euro është e mirës ardhur për qytetarët, por shuma prej 100 eurove nuk zgjidh problemet e qytetarëve të Kosovës, pas ngritjeve të çmimit të produkteve bazë.

“Kjo shumë është mjaft e vogël dhe Kurti po fshihet pas paaftësisë së tij për rritje pagash dhe rishikim të buxhetit me urgjencë”, ka thënë Haradinaj ndër të tjera.

Sipas tij, AAK propozon që paga minimale të jetë 370 euro neto në Kosovë.

“Qysh sot Qeveria me urgjencë të lejoj tërheqjen e mjeteve nga Trusti në shumën prej 15 për qind”, tha ai.

Sipas tij, krahas këtyre qeveria duhet të heq edhe TVSh për produktet bazë dhe të miratohet sa më parë ligji i pagave.

“Të këtë rritje të pagave prej 33 për qind të skemave pensionale”, tha ai.