Serbia s’i ofroi siguri Besnik Bislimit, organizatorët e konferencës dalin me një sqarim

Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit i është dashur të kthehet prapa në Kosovë ende pa hyrë në Serbi ngase autoritetet e Serbisë s’kanë garantuar për sigurinë e tij.

Kështu ka thënë Dushan Janjiq, organizator i konferencës në të cilën ka pasur të marrë pjesë zv.kryeministri.

Janjiq ka konfirmuar për Express se Bislimi edhe zyrtarisht ka anuluar pjesëmarrjen derisa ka shtuar se po përgatitin edhe një konferencë për media lidhur me këtë çështje.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar dje se zv.kryeministri Bislimi do të udhëtojë drejt Beogradit për të marrë pjesë në organizimin e Forumit Për Marrëdhenie Etnike që drejtohet nga Dushan Janjiq.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, merr pjesë në Beograd, ditën e enjte në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”, me fillim nga ora 17:00.

Ditën e premte, do të jetë pjesëmarrës në një panel diskutimi, në kuadër të “Belgrade Security Conference”, me temë “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje”, me fillim nga ora 18:15″, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.