Raportohet se tezakja e presidentes do ta ushtrojë pozitën e sekretares në ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci

Venera Çerkini, vajza e tezës së presidentes Vjosa Osmani, raportohet se do ta ushtrojë pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, të drejtuar nga ministri Faton Peci.

Mediumi “Koha” raporton se ka siguruar vendimin, ku thuhet se Çerkini do ta ushtrojë këtë detyrë nga dita e sotme.

“E caktuara, detyrën e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e ushtron nga data 8.9.2023 me të gjitha të drejtat dhe detyrat e përcaktuara në nenin 18 të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura dhe legjislacionin përkatës në fuqi.” – thuhet në vendim.

Ndërkohë, Çerkini në fillim të vitit 2023 ishte emëruar si kryeshefe e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, proces ky që u përcoll me shumë kritika.

Ndërkaq, ajo citohet të ketë thënë se pozitën nuk e ka marrë për shkak të afërsisë me presidenten Osmani.

Në këtë pozitë, ajo vjen tetë ditë pas dorëheqjes së Blerim Hasanit, i cili deri tash ishte sekretar i kësaj ministrie.