Rashica vlerëson ndeshjen me Burkina Fason, ka këto fjalë pas rikthimit me gol

Kosova e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2022 dhe njëherit epokën me trajnerin e ri, Alain Giresse.

“Dardanët” triumfuan thellë 5:0 kundër Kombëtares së Burkina Fasos në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Sulmuesi i Norwich Cityt, Milot Rashica pas ndeshjes vlerësoi takimin, ndërkohë që ka folur edhe për rikthimin te golit me fanellën kosovare.

“Më në fund erdhi goli. Është pak për t’u çuditur se kam lujtur shumë ndeshje këtu. Jemi që tri-katër ditë me trajnerin e ri, na duhet pak më shumë kohë, me video e analiza për ta kuptuar filozofinë dhe lojën që kërkon trajneri”, tha Rashica pas ndeshjes.

“Besoj që sonte e kemi pas ndeshjen në kontrollë. Normal, besoj që ka me qenë një ndeshje jo e lehtë, se po luajnë kundër një kundërshtari të fortë. Dihet se në Zvicër ka shumë shqiptarë dhe në stadium do të ketë shumë tifozë shqiptarë”, shtoi sulmuesi vushtrrias.

Kujtojmë se reprezentacioni i Kosovës pesë ditë më vonë do të vizitojë Zurichut për t’u ndeshur me Zvicrën në një tjetër takim kontrollues.