Rasti i dytë me koronavirus në Vushtrri, reagon kryetari i komunës

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka reaguar pas rastit të dytë të konfirmuar me COVID-19, në Vushtrri gjegjësisht në fshatin Studime e Poshtme.

Sipas Tahirit, pacientja në fjalë është familjare e pacientes së parë.

“Nga data 19.03.2020, pacientja çdo ditë është përcjellë nga IRSHP Mitrovicë dhe stafi i QKMF-së në Vushtrri. Pacientja dhe familja e saj kanë qenë në vet izolim. Po ashtu nga data 19.03.2020, janë gjurmuar kontaktet e pacientes dhe janë udhëzuar të vet izolohen”, ka shkruar Tahiri në ‘Facebook’.

Sipas tij, sot janë marrë mostrat edhe për kontaktet tjera brenda kësaj familje dhe rezultatet do dalin nesër.

Sot, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka konfirmuar se kanë dalë pozitiv edhe 8 raste të tjera me COVID-19, duke e rritur numrin e të infektuarve në 71.