Rasti i “përplasjes” së fëmijës në veturën e ministres Hajdari rrezikon të “përplaset” nga gjykata

Që nga 8 dhjetori kur Gjykata Themelore në Prishtinë urdhëroi Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të realizojë një super-ekspertizë në rastin kur ministrja Rozeta Hajdari dyshohet se goditi me veturë një fëmijë, nuk është mbajtur asnjë seancë lidhur me këtë rast.

Nëse ky rast vazhdon të zvarritet, kjo lëndë rrezikon të parashkruhet, çka nënkupton se ministrja nuk do të dënohej fare për këtë rast.

Për të evituar një situatë të tillë, avokati i 9-vjeçares, Florim Shefqeti, ia ka dërguar Gjykatës tri urgjenca, me të cilat i ka kërkuar trajtim të rastit.

Më 10 prill të 2022-ës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, goditi me veturë një 9-vjeçare në rrugën “Vicianum”, në Prishtinë.

Vetëm pasi lajmi u bë publik nga mediat, ministrja doli me një sqarim publik, duke deklaruar se një fëmijë i është përplasur në veturën e saj.

Por, kështu nuk konstaton ekpsertiza e këtij rasti e realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ekspertiza e nxjerrë më 28 tetor 2022, e cila u prezantua në një nga seanca gjyqësore të këtij rasti, konstatoi se ministrja Hajdari nuk ka respektuar rregullat e komunikacionit.