Rasti Ivanoviq, aktakuzat i dorëzohen avokatëve

Avokatëve të të dyshuarve për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq i janë dorëzuar aktakuzat dhe seanca e parë përgatitore lidhur me rastin është caktuar për 30 dhjetor.

Atëherë nuk do të ketë dëshmitarë dhe avokatët do të kenë një muaj që të bëjnë apel kundër aktakuzave.

“Ne jemi në pritje të një seance përgatitore për të parë se çfarë ndodhi me provat, të cilat deri më tani na janë siguruar vetëm në gjuhën shqipe dhe në disqe,” tha për “Veçernje Novosti”, Jovana Filipoviq, deputete e Silvana Arsoviqit, ish – sekretareshë e Ivanoviqit, transmeton Klan Kosova.

Filipoviq sqaron se provat e paraqitura deri më tani përmbajnë rreth 10,000 faqe, kështu që ajo shpreson që para seancës përgatitore të sigurohet një përkthim në serbisht, në mënyrë që ata të kuptojnë se çfarë provash të pretenduara ka prokuroria.

Aktakuza iu dha gjithashtu avokatit Mahmut Halimi, avokatit mbrojtës të Marko Rosiqit, i cili ka qenë në paraburgim për më shumë se një vit.

“Avokati ynë shkoi vetëm për të marrë aktakuzën në prokurori,” – thotë babai i Rosiqit, Nebojsha.

“Ai na tha se aktakuza është qesharake, sepse në pjesën e parë thuhet se në xhepin të ndjerit Oliver u gjet  një copë letër me targat e regjistrimit të xhipit tim dhe në pjesën e dytë thuhet se ajo copë letër u dorëzua më vonë, sepse gjoja ishte gjetur në portofolin e tij. Hetuesit nuk gjetën asgjë në vendin e ngjarjes, “- shton Rosiq.

Përveç Rosiqit dhe Arsoviqit, aktakuza përfshin edhe Nedeljko Spasojeviqin, Rade Basarën, si dhe anëtarët e policisë së Kosovës, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, transmeton Klan Kosova.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj gjashtë serbëve më 2 dhjetor.

Oliver Ivanoviq u vra në 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut, transmeton Klan Kosova.