Reagon ambasadori amerikan pas zgjedhjes së kryeprokurorit të ri: Nuk po i besojmë më KPK-së

Ambasada amerikane në Kosovë ka reaguar pas zgjedhjes se kryeprokurorit të ri, duke thënë se është e shqetësuar se si u zhvillua ky proces.

Ambasadori Jeff Hovenier përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se SHBA-ja ka pasur pritshmëri lidhur me procesin e përzgjedhjes se kryeprokurorit të ardhshëm.

“Jemi të shqetësuar nga mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura, duke dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK si institucion publik”, ka thënë tutje ai.

Postimi i plotë:

Përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë anëtarë të Ambasadës së SHBA-së, u ftuan të marrin pjesë në procedurat e KPK-së më 6 prill për të zgjedhur Kryeprokurorin e ardhshëm të Shtetit. Prania jonë si vëzhgues nuk duhet të konsiderohet si miratim i procesit apo procedimit.

Në disa raste, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur pritshmëri për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ardhshëm të Shtetit, të cilat ne besojmë se ndahen edhe me qytetarët kosovarë: të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita.

Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. SHBA-të nuk kishin një kandidat të preferuar dhe as nuk gjykonim kualifikimet e kandidatëve individualë.

Jemi të shqetësuar nga mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura, duke dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK si institucion publik.