Reagon familja e presidentit Thaçi: Faleminderit përgjithmonë, lavdi dëshmorëve dhe UÇK-së

Pas aktakuzës së paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ndaj presidentit të vendit, ka reaguar edhe familja Thaçi.

Familja Thaçi përmend faktin se përgjatë këtyre ditëve ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të të afërmve, miqve dhe qytetarëve për të vizituar shtëpinë e saj, në shenjë solidarizimi për momentet sfiduese nëpër të cilat po kalon.

“Jemi thellësisht mirënjohës për interesimin tuaj dhe për solidarizimin me ne si familje. Mirëpo, për shkak të pandemisë e kemi të pamundur që t’ju presim në shtëpinë tonë sipas nderit, traditës së familjes dhe të popullit tone”, thuhet midis tjerash në këtë reagim.

Familja Thaçi, konsideron se ashkush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, e as ta zhbëjë sakrificën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim, transmeton IndeksOnline.

Njoftimi i plotë i familjes Thaçi:

Të nderuar familjarë, miq dhe bashkëkombës,

Ditët e fundit ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të të afërmve të familjes, miqve dhe qytetarëve për të na vizituar në shtëpinë tonë në Burojë, në shenjë solidarizimi për momentet sfiduese nëpër të cilat po kalojmë.

Jemi thellësisht mirënjohës për interesimin tuaj dhe për solidarizimin me ne si familje. Mirëpo, për shkak të pandemisë e kemi të pamundur që t’ju presim në shtëpinë tonë sipas nderit, traditës së familjes dhe të popullit tonë.

Shëndeti juaj është shumë më i rëndësishëm se gjithçka tjetër!

Jemi falënderues përjetësisht për mbështetjen që keni treguar për më tepër se dy dekada për birin, babanë dhe vëllanë tonë, presidentin Hashim Thaçi, i cili me gjithë qenien e tij ka punuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, e as ta zhbëjë sakrificën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Ju faleminderit nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme!

Me respekt,

Familja Thaçi

Burojë