Reagon FFK ndaj thirrjeve raciste të tifozëve sllovakë në ndeshjen Slovan-Feronikeli

Banerët dhe thirrjet tejet raciste si “Kosova është Serbi” u dëgjuan gjatë ndeshjes kualifikuese për në Champions League mes Slovan Bratislavës dhe Feronikelit, të mërkurën mbrëma.

Ndeshja përfundoi me disfatë 2-1 të “Niklit”, por rezultati mbeti nën hijën e veprimeve të turpshme të fansave vendës, transmeton Periskopi.

Federata e Futbollit të Kosovës tani ka reaguar me një njoftim, ku thuhet:

“Federata e Futbollit e Kosovës i dënon ashpër thirrjet dhe sloganet e paraqitura sot në ndeshjen e Europa Leagues në Bratislavë nga tifozët në ndeshjen Slovan – Feronikeli. Parullat dhe thirrjet e tilla, FFK-ja, i vlerëson si primitivizëm, të pakuptimta dhe natyrisht aspak reale.

Ëndrrat e Serbisë dhe të përkrahësve të tyre si dhe mashtrimet ndaj popullatës së tyre janë shumë të dëmshme edhe për vet ato klube dhe federatat e tyre, të cilat lejojnë këso anomali nëpër stadiumet e tyre.

Me këtë rast, ftojmë UEFA-në dhe FIFA-n që të marrin masa sa më rigoroze (konform rregulloreve të tyre) ndaj këtyre thirrjeve dhe sloganeve, në mënyrë që kjo të ndikojë edhe në klubet e tjera në parandalimin e sjelljeve të tilla.

Njëkohësisht kërkojmë nga Federata Sllovake që të reagojë për këto slogane të porositura kundër klubit tonë kampion dhe u bëjmë me dije se jemi partnerë të barabartë në UEFA e FIFA.

Ndërkohë, përgëzojmë futbollistët e KF “Feronikeli” që përkundër thirrjeve dhe sloganeve të tilla treguan lojë burrërore dhe besojmë në suksesin e tyre të mëtejmë.”